Studim për trafikim fëmijësh në Shqipëri: Vajzat shfrytëzohen seksualisht, djemtë për lypje

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka kryer një studim mbi tipologjinë e trafikimit të fëmijëve në Shqipëri. Studimi synon parandalimin e të gjitha llojeve të abuzimit të të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e fëmijëve në rrezik dhe viktimave të trafikimit dhe shfrytëzimit.
Vajzat trafikohen për shfrytëzim seksual, në veçanti nëpërmjet punës në klubet e natës dhe në industrinë e argëtimit në Shqipëri ndërsa trafikimi për qëllime të lypjes së detyruar dhe veprimtari kriminale është një rrezik parësor për trafikimin e djemve. Një studim i prezencës së OSBE-së në Shqipëri me të dhëna të mbledhura nga Punonjësit e Mbrojtjes së Fëmijës ka marrë në shqyrtim 45 raste të viktimave të mundshme të trafikimit të fëmijëve 31 vajza dhe 14 djem. Studimi ka dalë në përfundimin se kuadri ligjor në Shqipëri ka nevojë për reformim me qëllim njohjen dhe parandalimin e trafikimit si një dukuri që ndodh sa brenda vendit edhe në kontekstin ndërkombëtar.
Nga 45 rastet e shqyrtuara, 39 ishin identifikuar nga autoritetet si viktima të mundshme të trafikimit të fëmijëve. Vetëm një prej 39 rasteve u identifikua formalisht dhe në mënyrë përfundimtare ndërsa në 11 raste shfrytëzimi vijoi edhe pas zbulimit të fëmijës si viktimë e mundshme e trafikimit. Nga këto 11 raste, tetë ishin vajza të cilat shfrytëzoheshin seksualisht, që u lanë në duart e trafikuesve pavarësisht nga rreziqet e identifikuara.
Ky studim ka evidentuar një mungesë të vendimmarrjes së shprehur në lidhje me identifikimin e trafikimit, mungesë të ndjekjes në vazhdimësi të hetimit penal, dhe mangësi shqetësuese në dhënien e masave të duhura të mbrojtjes. Për të vijuar, studimi gjeti gjithashtu një standard të dobët të mbajtjes së të dhënave.
Në mbyllje të tij, studimi rekomandon forcim të sistemit të mbrojtjes së fëmijës nëpërmjet shtimit të trajnimit për strukturat kryesore, përfshirë ato të zbatimit të ligjit, punonjësit e mbrojtjes së fëmijës dhe shkollat.