06:59 / E Shtunë, 18 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Studimi: Nëse keni një qen, ulet rreziku i vdekjes së parakohshme

Rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë edhe sëmundjet e zemrës dhe goditja në tru, mund të reduktohen nëse mbani një qen, tregon një studim i fundit.

Simptomat e sëmundjeve kardiovaskulare mund të parandalohen nëse mbani një qen.

Kjo ul rrezikun e vdekjes së parakohshme dhe rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare për 11 për qind, thuhet në studimin e shkencëtarëve nga Suedia, transmeton KosovaPress.

Reduktimi i rrezikut nga vdekja e parakohshme duke pasur një qen ndikon që njerëzit të jenë më aktivë, thonë hulumtuesit.

“Ndoshta qeni mund të jetë si një anëtar i rëndësishëm i familjes”, thotë autori i studimit, Mwenya Mubanga.

Derisa studimi nuk ka mund të vlerësojë lidhjen e saktë ndërmjet shëndetit dhe të pasurit një qen, shkencëtarët pohojnë se kjo mund të përmirësojë aktivitetin fizik.

Bakteri i gjetur te qentë po ashtu luan rol për të ndihmuar njerëzit të jetojnë më gjatë, thonë studiuesit.

Sipas tyre, qentë ndihmojnë në uljen e stresit, te rastet e vetmisë dhe i bëjnë njerëzit të ndihen më të lumtur.

Në studim janë analizuar mbi 3.4 milionë njerëz, të cilët nuk kanë pasur sëmundje kardiovaskulare.

Të gjitha vizitat e tyre në spital janë regjistruar për një periudhë mbi 12 vjet dhe janë bërë krahasime mes atyre që kanë qen ose jo.