75 Mall Live Search
12:51 / E Martë, 11 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Stuhia “Ciara” shkakton dëme në Evropë, ka edhe viktima

Rrugë të përmbytura, fluturime të shumta të anuluara, radhë të gjata trafiku, ndërprerje të energjisë elektrike dhe pemë të rrëzuara në rrugë dhe linja treni. Kjo është situata e krijuar nga moti i ashpër dimëror që po prek Europën Veriore dhe atë Perëndimore.

Stuhia “Ciara”, apo “Sabine”, siç është emërtuar nga shtetet që flasin gjermanisht, u dobësua pak, ndërsa u shpërnda në vende si Belgjika, Britania, Franca, Gjermania dhe Polonia, duke shkaktuar kaos dhe 5 viktima, sipas raportimeve të agjencive ndërkombëtare të lajmeve.

Meteorologët europiane theksojnë se stuhitë janë të zakonshme në dimër, por kjo e fundit është pak më e ashpër për shkak të erës së fortë që shkon deri në 130 kilometra në orë.

“Ciara” preku fillimisht Irlandën duke u zhvendosur më pas në Britani dhe më pas në pjesën tjetër të Europës. Qeveria e Londrës mbajti në fuqi paralajmërimin për motin e ashpër, ndërsa një 58-vjeçar humbi jetën në Uinçester, pasi një degë peme goditi makinën e tij. Edhe një person tjetër humbi jetën në të njëjtën mënyrë në Slloveni. Ndërsa viktimat e tjera janë regjistruar në Poloni dhe Suedi.