75 Mall Live Search
10:03 / E Mërkurë, 01 Korrik 2026 / MSH1

Stuhia e djeshme në Gjakovë/ Fetahaj: Drejtori i Emergjencave në terren, do të vlerësohen dëmet

Stuhi e fuqishme, e karakterizuar me shi dhe erë të fortë, goditi dje një pjesë të Gjakovës me rrethinë.

Shumë shtëpi dhe kultura bujqësore pësuan dëme nga stuhia, raporton IndeksOnline.

Situata ishte dukshëm më e komplikuar në fshatin Cërmjan dhe fshatrat përreth tij, ku shumë shtëpive iu dëmtuan kulmet, dyert dhe veturat.

Nënkryetari i Gjakovës, Flamur Fetahaj, ka deklaruar për IndeksOnline se të gjitha këto dëme janë duke u adresuar nga komuna.

“Sot në mëngjes jemi takuar me kryetarin dhe drejtorët. Ne veçse e kemi një komision për vlerësimin e dëmeve. Drejtori i Bujqësisë dhe ai i Emergjencave kanë dalë në terren dhe po merren me dëmet që janë shkaktuar dje nga era dhe shiu, të cilat kanë qenë goxha problematike.

Komisioni do të vlerësojë dëmet, pasi të sheh gjendjen faktike në terren. Cërmjani ka qenë më i prekur dhe një pjesë e Becit. Ajo zonë ka qenë më e prekur nga stuhia”, tha Fetahaj.