09:35 / E Martë, 18 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Stuhia paralizon Britaninë, mijëra shtëpi pa energji dhe të përmbytura

Stuhia “Dennis” shkakton probleme të shumta në Evropë. Komunitete të shumta në Britani janë përmbytur, ndërsa u regjistrua kaos në qarkullim për shkak të shirave të dendur dhe erës së fortë.

Mbi 300 paralajmërime të tjera për përmbytje të mundshme janë lëshuar nga autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë 5 alarme të rrezikshmërisë së lartë nga stuhia “Dennis”. Evakuime të mëtejshme do të jenë të nevojshme në zonat e përfshira nga uji, për shkak të rritjes së nivelit të lumenjve.

Sekretari për mjedisin, George Eustice, mbrojti reagimin e Qeverisë duke theksuar se nuk mund të mbrojë çdo shtëpi. Një grua besohet të ketë humbur jetën në një qytezë në afërsi të Birmingemit.

Disa rrugë kryesore dhe autostrada vijojnë të qëndrojnë të mbyllura në Britani, Skoci dhe Uells. Gjithashtu, stuhia “Dennis”, ka prekur qarkullimin në trena dhe metro, me linja të shumta që kanë pezulluar aktivitetin.

Mijëra banesa qëndrojnë pa energji elektrike, pasi era e fort ka dëmtuar linjat e tensionit të lartë. Autoritetet kanë pezulluar mësimin edhe në shkolla të shumta, ndërsa theksojnë se niveli i ujit në shumë pjesë të Britanisë ka arritur nivele rekorde në 40 vjetët e fundit.