12:27 / E Enjte, 11 Korrik 2019 / indeksADMonline

Stuhia që shkaktoi viktima në Greqi, aty ishte edhe një familje nga Kosova

Gjashtë persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë raportohet të jenë plagosur si pasojë e një stuhie tronditëse që goditi Halkidikin e Greqisë natën e kaluar.

Sipas informacioneve të para thuhet se të gjithë të vdekurit janë turistë. Dy çekë në një kamping, një rumune 54 vjeçe me djalin e saj 8 vjeçar dhe një rus 39-vjeç me djalin e tij 2-vjeçar.

Por në mesin e shumë turistëve të cilët po kalonin këto ditë në Greqi ishte edhe një familje nga Kosova.

Indeksonline ka kontaktuar me familjen në fjalë të cilët kanë rrëfyer për tmerrin që kanë përjetuar gjatë natës së mbrëmshme.

Nga familjarët të cilët duan të mbeten anonim u tha se janë me fat që janë ende gjallë.

Tutje kanë theksuar se që prej dje nuk kanë energji elektrike dhe se komunikimi me telefon është shumë i vështirë, apo thuajse i pamundur.

Mjaftuan pak minuta që gjithçka të kthehej përmbys, të pranishmit thonë se u formua edhe tornado dhe se e gjithë kjo ishte mjaft e frikshme.

Indeksonline ka kontaktuar zyrtarin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Liridon Llapashtica i cili deklaroi se nga informacionet e pranuara nga kontaktet me autoritetet e spitalit në Halkidiki, konfirmohet se nuk ka asnjë kosovarë të lënduar.

“Konfirmohet se nuk ka asnjë qytetarë të Kosovës të lënduar nga stuhia që ka përfshirë këtë vend” , tha Llapashtica.

Në Halkidiki shpejtë kishin ndërhyrë edhe përgjegjësit e emergjencave të cilët dërguan në fillim 150 persona, 55 automjete zjarrfikësish, 40 makina të qarkut dhe 100 persona në veprim e sipër./Indeksonline/