S’u injoruan veç gratë e Krushës, tashmë tre muaj po bredhin rrugëve gratë e Kuvendit të Kosovës

Tashmë tre muaj punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës kanë hyrë në grevë. Kurse sot presin vendimin për punën e tyre se a do t’u lejohet të hyjnë brenda objektit në vendet e tyre të punës.
Grevistet janë në pritje të një liste zyrtare që do të përcaktojë se cilat prej tyre do të vazhdojnë punën, teksa në vendin e tyre janë sjell punëtore të reja nga e njëjta kompani kontraktuese.
Gratë greviste, të cilat po qëndrojnë jashtë Kuvendit të Kosovës në këto temperatura të ftohta, thonë se kjo që po bëhet ndaj tyre është e papranueshme.
E Merfate Dugolli nuk mund t’i mbajë lotët teksa flet për gjendjen në të cilen ndodhen. Situatën e saj dhe të kolegeve greviste, e krahason me kohën kur ishte në Bllacë, gjatë luftës së fundit.
“Nuk e di jemi as andej as këndej, jemi si në gjendje lufte dhe është hera e dytë që e përjetojmë këtë luftë. Njëherë në Bllace kur kemi qenë kah po na qojnë edhe tash për ne është situatë e njëjtë. Po ma qon mallin sikur në luftë. Nuk dihet se çfarpë po ndodh me neve. Më herët kem tu shku në banjo, nuk na lan na kthyen katastrofë është gjendja jonë. Marre duhet me iu ardhë. As shkijet s’kanë bërë kështu, ani këta. Nuk jena dal këtu për një të mirë”, tha Dugolli.
Pëkundër të gjithave Nebahate Krasniqi shpreson që të merret një vendim në të mirë të tyre. Thotë se e gjithë kjo që po ndodhë, është një poshtërësi.
“Morëm me hy në banjo brenda në kuvend s’na lejuan. Dhe banjon na kanë ndaluar brenda. Qe 16 vjet punoj, të tjerat janë 24 vjet asnjë s’jena nër 10 vjet. Ndoshta merret një vendim. Është shumë poshtërsi që kjo me na u ba neve. Jemi punëtore prej se u themelu Kuvendi i Kosovës. Kjo është poshtërësi”, tha ajo.