75 Mall Live Search
13:20 / E Shtunë, 06 Shtator 2025 / F.R

Subvencionimi i teksteve shkollore – sfida dhe pritshmëri në shkollat e Prishtinës

Përkundër sfidave me numrin e madh të nxënësve dhe rritjen e çmimeve të materialeve shkollore, shkollat fillore në Prishtinë kanë përmbyllur me sukses procesin e subvencionimit për nxënësit që kanë aplikuar për tekste dhe pajisje mësimore.

Drejtoresha e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë, Mimoza Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online tregon se vetëm në klasat e para janë 307 nxënës, ndërsa në ato parashkollore 110.

Megjithatë,ajo theksoi se shkolla ka arritur të përfundojë me sukses procesin e aprovimit të subvencioneve për të gjithë prindërit që kanë aplikuar.

“Shkolla Ismail Qemali ka një numër shumë të madh të nxënësve të cilët vijojnë mësimin. Përkundër numrit të madh dhe sfidave që i ka shkolla, është bërë sistemi i klasave. Për momentin i kemi 307 nxënës te klasat e para, 110 te klasat parashkollore. Ne si shkollë kemi bërë aprovimin e subvencionimit të secilit nxënës. Prindërit të cilët kanë aplikuar, është bërë aprovimi në dy ciklet, edhe të ulët edhe të lartë. Nuk kemi raste që nuk janë aprovuar; në rast se nuk janë aprovuar, prindërit vijnë dhe e bëjmë aprovimin. Procesi i aprovimit është kryer, pritet që prindërit t’i blejnë të gjitha pajisjet, besoj që janë pajisur të gjithë. Dhe do të bëjmë statistikat se cilët nxënës nuk janë pajisur. Sipas prindërve që janë deklaruar për media, më mirë kur i ka ndarë shkolla, por për neve kjo mënyrë është më e lehtë,” ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, drejtori i shkollës “Dardania”, Afrim Gashi, shprehet se metoda e re e furnizimit ka lehtësuar punën e shkollës, por mbeten sfida në ciklin e lartë të arsimit, për shkak të mungesës së librave të kthyer nga viti i kaluar.

Ai thekson se subvencioni prej 80 eurosh është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha nevojat shkollore, veçanërisht në kushte të rritjes së çmimeve.

“Sa i përket procesit të furnizimit me libra, ne kemi vitin e dytë me metodë të njëjtë. Kemi qenë skeptikë se a do të funksionojë ashtu siç duhet të funksionojë, mirëpo ministria ka vendosur këtë mënyrë dhe ne jemi të obliguar ta zbatojmë. Na është kërkuar ta caktojmë dy koordinatorë për aprovimin. Ne si shkollë na është lehtësuar puna, sepse nuk merremi me çështjen e shpërndarjeve të teksteve, por nga sasia e furnizimit, kanë qenë shumë më të mira atëherë sesa tani. Te klasat 6 deri 9 e kemi problematikën se na është thënë t’i grumbullojmë nga viti i kaluar ato libra. Për shumë shkaqe, ka qenë numër i vogël i kthyer. Nuk kemi mekanizma që t’i detyrojmë prindërit që t’i kthejnë librat. Subvencionimi është bërë me 80 euro. 80 euro sot, pa qenë ngritja e çmimeve që e kemi vërejtur, nuk ia del me kompletuar me mjete të tjera çka i duhen, pa libra shtesë.”