75 Mall Live Search
10:28 / E Premte, 27 Shtator 2024 / S Z

Suekuestrohen dy kamionë dhe arrestohen shoferët, transportonin zhavorr në mënyrë të kundërligjshme

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i përgjithshëm, në dy raste të ndara ka sekuestruar dy kamionë, si mjete të kryerjes së veprës penale, të cilët po transportonin zhavorr në mënyrë të kundërligjshme. Ndërsa janë ndaluar shoferët e dy kamionëve, të cilët po e transportonin zhavorrin.

Nërsa është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338 i Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Prokuroria Themelore në Prizren, në koordinim me Policinë e Kosovës, inspektorët e KPMM-së dhe inspektorët komunalë, në fshatin Landovicë – Komuna e Prizrenit, në dy raste të ndara ka ndaluar shoferët e dy kamionëve, të cilët po transportonin zhavorr në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e prokurorisë..

Aktivitetet ilegale të nxjerrjes së zhavorrit në këtë fazë hetimore dyshohet se janë zhvilluar përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë.

Brenda afatit ligjor nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në të dyja rastet e ndara është lëshuar urdhri ndalues i përkohshëm dhe gjithashtu brenda afatit ligjor, për mjetet e kryerjes së veprës penale më 27.09.2024 është paraqitur kërkesa për urdhër ndalues përfundimtar, me masat e përkohshme për sigurimin e pasurisë së specifikuar – shitjen e pasurive të specifikuar/kamionëve për çmim të tregut.

Prokuroria Themelore në Prizren, e njofton opinionin publik se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese.