Suhareka krah Haradinajt: Prezantohet vizioni për qeverisje dhe zhvillim
Pas tubimit elektoral të mbajtur sonte në Suharekë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përcjellë një mesazh të qartë mobilizimi dhe bashkimi, duke theksuar se Suhareka ka vendosur të ecë “krah për krah” me Aleancën.
“Sonte lidhëm besën me Suharekën për të qenë krah për krah”, ka shkruar Haradinaj, duke nënvizuar mbështetjen dhe energjinë e qytetarëve të kësaj komune.
Sipas tij, Suhareka ka folur qartë për atë që kërkon nga qeverisja: “të vërtetën, qëndrueshmërinë dhe një vizion që nuk lë askënd pas”.
Haradinaj ka bërë të ditur se gjatë takimit me qytetarët është diskutuar hapur për planin e Aleancës dhe vizionin për të ardhmen e vendit. “Me qytetarët e Suharekës folëm hapur për planin tonë, për një Kosovë në NATO, ku ekonomia është në shërbim të njerëzve; për energji të sigurt dhe të përballueshme; për vende të reja pune; për arsim që i përgatit të rinjtë për jetën; dhe për një shtet që i mbron e i respekton qytetarët”, ka theksuar ai.
Në përfundim, Haradinaj ka deklaruar se mbështetja e Suharekës është tashmë e qartë për Aleancën dhe për qeverisjen lokale, ndërsa ka paralajmëruar se më 28 dhjetor qytetarët e kësaj komune do të vendosin edhe për qeverinë e ardhshme qendrore.
“Suhareka ka vendosur për AAK dhe për qeverisjen në komunë, ndërsa më 28 dhjetor Suhareka do të vendosë për Qeverinë Haradinaj”, ka përfunduar Haradinaj.

