Suharekë: Shkoi t’ia kërkonte borxhin, teksa rriheshin, djali i mitur i të dyshuarit shtin me armë

Një vrasje në tentativë ka ndodhur mbrëmë në Qafë-Duhël të Suharekës.
Viktima bashkë me një dëshmitar kishin shkuar te shtëpia e të dyshuarit për të kërkuar një borxh dhe pas një konflikti verbal kishin filluar ta grushtonin njëri-tjetrin.
Derisa ata ishin duke u përleshur fizikisht, djali i të dyshuarit i moshës së mitur kishte shkuar në shtëpi dhe e kishte marrë një armë, duke shtënë disa herë në drejtim të viktimës, transmeton Indeksonline.
“Viktima është dërguar në Spitalin e Prizrenit dhe sipas mjekut kujdestar gjendja e tij është e rëndë nga lëndimet që i ka marrë nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes njësiti policor ka konfiskuar pistoletën me shtatë fishekë dhe dy gëzhoja”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me urdhër të prokurorit, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit dhe ai është arrestuar dhe dërguar në mbajtje./Indeksonline/