75 Mall Live Search
19:41 / E Mërkurë, 29 Tetor 2025 / F.R

Sulm në spitalin e El-Fasher në Sudan, 460 persona të vdekur

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se Spitali i Maternitetit Saudit, spitali i fundit pjesërisht funksional në rajonin El-Fasher të Sudanit, u sulmua gjatë fundjavës nga  forcat paramilitare.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, të paktën 460 pacientë dhe shoqëruesit e tyre humbën jetën gjatë sulmit.

OBSh ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, duke theksuar se të gjitha sulmet ndaj infrastrukturës shëndetësore duhet të ndalen dhe pacientët, punonjësit e shëndetësisë dhe institucionet spitalore duhet të mbrohen sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare.

Rrjeti i Mjekëve të Sudanit, tha se luftëtarët nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë të martën “vranë me gjakftohtësi të gjithë ata që gjetën brenda Spitalit Saudit, përfshirë pacientët, shoqëruesit e tyre dhe këdo tjetër të pranishëm në reparte”.

Pas pushtimit të El-Fasherit, Forcat e Shpejta të Mbështetjes, RSF, nën komandën e gjeneralit, Mohamed Dagalo, kanë marrë kontrollin mbi pjesën jugore të Darfurit dhe kanë krijuar një qeveri paralele, në kundërshtim me regjimin e kryesuar nga kreu i ushtrisë Abdel Fattah al-Burhan.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e ndarjes së re të Sudanit dhe përsëritjes së masakrave që shënuan Darfurin në fillim të viteve 2000.

Sipas të dhënave të OBSH-së, që nga fillimi i përleshjeve në prill 2023 janë regjistruar 185 sulme ndaj institucioneve shëndetësore, me 1,204 viktima dhe 416 të plagosur. Vetëm gjatë këtij viti, 49 sulme kanë shkaktuar 966 të vdekur.