75 Mall Live Search
22:54 / E Diele, 22 Qershor 2025 / FR

Sulmet e SHBA-së në Iran, Rusia: Të papërgjegjshme, të rrezikshme e provokuese

Në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore në Iran kanë ngjallur reagime të ashpra.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, i cilësoi këto veprime si “të papërgjegjshme, të rrezikshme dhe provokuese”, duke theksuar se SHBA-ja ka kaluar çdo vijë të kuqe.

“SHBA-ja ka hapur kutinë e Pandorës”, deklaroi ai, duke shtuar se askush nuk mund ta dijë se çfarë katastrofash të reja mund të shkaktohen si rezultat i këtij eskalimi.

Nga ana tjetër, ambasadorja e SHBA-së në OKB, Dorothy Shea, fajësoi Iranin për situatën, duke thënë se ai “e ka errësuar prej kohësh programin e armëve bërthamore dhe i ka penguar përpjekjet tona me mirëbesim”.

Ajo akuzoi Iranin për mungesë transparence dhe për sabotim të negociatave bërthamore.

Në fund, Shea i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që t’i kërkojë Iranit të heqë dorë nga retorika dhe veprimet që synojnë zhdukjen e Izraelit, duke nënvizuar nevojën për një qasje të përbashkët ndërkombëtare ndaj kërcënimeve të Teheranit.