15:50 / E Diele, 04 Tetor 2020 / indeksADMonline

Sulmet kibernetike ngadalësojnë testet klinike të vaksinës anti-COVID-19

Hakerët kanë gjetur një tjetër objektiv të mundshëm – furnizuesin e programeve të provave klinike. Një kompani e Filadelfias që zhvillon softuer për provat klinike përfshirë koronavirusin, u vu në shënjestër nga ransomware. Ai pritet të ngadalësojë progresin në provat thelbësore për zhvillimin e vaksinave, mjeteve të trajtimit dhe testimit.

Midis tyre është edhe kompania AstraZeneca e cila po zhvillon një vaksinë antiCOVID-19 së bashku me Universitetin e Oksfordit dhe është një nga më të priturat.

Ndërsa të dhënat e pacientëve nuk u komprometuan, kompania eResearchTechnology (ERT), tha se punonjësit e saj nuk mund të hynin në sistem. Kjo nga ana tjetër ndikoi në provat pasi studiuesit u detyruan të gjurmonin të dhënat e pacientëve manualisht duke përdorur stilolaps dhe letër.

Klientët e prekur të ERT ishin IQVIA, e cila po administron provën e vaksinave të AstraZeneca dhe Bristol Myers Squibb, i cili po zhvillon një komplet testimi të shpejtë për koronavirus.

IQVIA dhe Myers Squibb thanë se sulmi ransomware edhe pse ngadalësoi progresin, nuk i prishi planet e tyre. IQVIA kishte një kopje rezervë të të dhënave dhe kjo e ndihmoi kompaninë të shmangte një problem të madh. Sidoqoftë, klientët e tjerë të ERT nuk ishin aq me fat. Shumë prej tyre iu drejtuan letrës dhe stilolapsit ndërsa sistemet mbetën jashtë linje.

IQVIA, në një deklaratë për News York Times ka bërë të ditur se nuk ishte në dijeni të ndonjë të dhëne konfidenciale në lidhje me provat klinike që ishin vjedhur ose kompromentuar për shkak të sulmit.

Sulmi ransomware ndaj ERT është i dyti pas Shërbimit Shëndetësor Universal (UHS), një zinxhir spitalor me 400 klinika në SHBA, javën e kaluar. Studiuesit e sigurisë kibernetike identifikuan ransomware si Ryuk që ishte përdorur më parë nga hakerët rusë.

Ndryshe, muajin e kaluar, një pacient vdiq në Gjermani si rezultat indirekt i një sulmi të tillë, duke e bërë atë viktimën e parë të njohur të një sulmi kibernetik.