20:35 / E Mërkurë, 31 Maj 2023 / S Z

Sulmet ndaj policisë në Zveçan, reagon MPB: Huliganët e dirigjuar nga Beogradi, do të identifikohen dhe do të ballafaqohen me drejtësinë

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pas sulmeve që janë bërë në drejtim të policisë së Kosovës, gjatë ditës së sotme në Zveçan, ku një polic është lënduar.  

Në reagimin e MPB-së thuhet  se sot grupet e maskuara kriminale dy herë radhazi i kanë sulmuar policinë e Kosovës, pa asnjë provokim paraprak. Në reagim po ashtu thuhet se sulmet e tilla janë të papranueshme dhe se kriminelet do të identifikohen dhe do të ballafaqohen me drejtësinë.

Reagimi i plotë i MPB-së:

Sulm tjetër kriminal ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan

Sot pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë sulmuar dy herë radhazi në Zveçan nga grupe të maskuara kriminale.

Në të dy rastet, nga të cilat janë dëmtuar 2 automjete policore dhe është lënduar një pjesëtar i Policisë, nuk ka pasur asnjë provokim paraprak. Përkundrazi, ka vigjilencë të shtuar të Policisë për të qetësuar situatën dhe për të parandaluar çdo eskalim të mundshëm.

Sulmet e tilla janë të papranueshme. Këto grupe huliganësh po vijojnë të dëshmojnë se janë të orkestruara dhe të dirigjuara nga Beogradi që të destabilizojnë vendin tonë. Sulmet e tyre po rrezikojnë jetën e zyrtarëve policorë, pjesëtarëve të KFOR, gazetarëve dhe të gjithë qytetarëve në veri të vendit.

Kriminelët do të identifikohen dhe do të ballafaqohen me drejtësi.