75 Mall Live Search
13:05 / E Mërkurë, 22 Tetor 2025 / MSH

Sulmet ruse në Ukrainë: Të paktën 6 të vdekur

Rusia ka kryer sulme të mëdha me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës, duke i vrarë të paktën gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë, thanë autoritetet të mërkurën.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për shtimin e trysnisë ndaj Kremlinit gjatë udhëtimit të tij drejt Suedisë, ku pritet të kërkojë më shumë armë mbrojtëse mes përpjekjeve të ngecura për paqe.

Zelensky i cilësoi si “të liga” sulmet ruse dhe tha se ato goditën infrastrukturën energjetike dhe civile në të paktën dhjetë rajone të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin, Kiev.

“Një tjetër natë që dëshmon se Rusia ende nuk ndien mjaftueshëm trysni për zvarritjen e luftës… Fjalët e Rusisë për diplomacinë nuk kanë asnjë kuptim përderisa udhëheqja ruse nuk i ndien problemet kritike”, shkroi ai në X.

Zelensky, i cili po shkon në Suedi për të biseduar për bashkëpunimin në fushën e mbrojtës mes dy vendeve, përsëriti pretendimin se armët me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën mund ta ndryshojnë rrjedhën e luftës gati katërvjeçare.

Më herët, Ukraina kishte lënë të kuptohet se vendimi i Administratës amerikane për të mos miratuar dërgimin e raketave “Tomahawk” për Kievin, e kishte dobësuar pozicionin e saj diplomatik.

Teksa presidenti ukrainas po largohej nga Kievi herët në mëngjes, Shërbimi Shtetëror i Emergjencave njoftoi se tre persona, përfshirë dy fëmijë, u vranë në këtë rajon.