75 Mall Live Search
13:06 / E Hënë, 17 Nëntor 2025 / P M

Sulmet verbale dhe online, ndër problemet kryesore në shkolla të Kosovë, Osmani: Shkolla duhet të jetë hapësirë e sigurt

Sulmet verbale, sulmet online, konfliktet mes grupeve të nxënësve janë ndër problemet kryesore që janë në mesin tonë në çdo shkollë të Kosovës.

Kështu u tha në konferencën e këshillave të nxënësve “Nxënësit, paqja dhe siguria” e organizuar nga KYC-i, në Ditën Ndërkombëtare të Nxënësit, ku pjesëmarrës ishin rreth 200 nxënës nga shkolla të mesme nga secili qytet, fshat e komunitet i Kosovës.

E pranishme në këtë konferencë ishte edhe presidentja Vjosa Osmani.

Osmani tha se në vend, nxënësit sot po e ushtrojnë të drejtën për arsim, një e drejtë që dikur të rinjtë e vendit nuk mundën ta ushtronin nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit.

Presidentja Osmani, u shpreh se shkolla duhet të jetë hapësira e sigurt e jetës së nxënësve, një ambient pa dhunë, bullizim e pa stigmatizim të askujt.

“Kjo konferencë po i bashkon 200 nxënës nga shkolla të mesme, secili qytet e fshat e komunitet në Kosovë. Në ditët më të errëta shtëpitë tona u shndërruan në shkolla, për shkak se shkollat u mbyllën me dhunë për ne dhe fëmijët helmoheshin në mënyrë sistematike nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Ishin po ata që ngritën zërin për liri dhe dinjitet dhe për të drejtën për arsim një e drejtë që ju e ushtroni lirshëm…Shkolla duhet të jetë hapësira e sigurt e jetës suaj, një vend ku respektoheni, dëgjoheni dhe kur nuk frikësoheni në asnjë moment për të qenë vetvetja juaj. Kjo nënkupton një ambient pa dhunë, pa bullizim, përjashtim dhe pa stigmatizim të askujt. Pjesë thelbësore e sigurisë është edhe shëndeti mendor, është e domosdoshme që secila shkollë të ofrojë mbështetje profeisonale”, tha Osmani.

Ndërsa, koordinatori për zhvillimin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë Stephen O’Malley theksoi se nga një studim i tyre, rezultatet treguan se diskriminimi dhe stigmatizimi ishin të pranishme në mjedisin shkollor.

O’Malley tha se me mbështetjen e Fondit për Ndërtimin e Paqes të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, është krijuar një qasje që nxënësit të vendosen në qendër, ku një ndër hapat kryesorë ishte themelimi i këshillave të nxënësve si në nivel shkollor ashtu edhe komunal.

“Që nga fillimi, deshëm të siguroheshim që i kuptonim realitetet tuaja si nxënës në Kosovë. Ne nisëm me një studim fillestar shumë të detajuar. Rezultatet na treguan se diskriminimi dhe stigmatizimi ishin të pranishme në mjedisin tuaj shkollor, se qasja në trajnime të bazuara në aftësi ishte e kufizuar dhe se mundësitë për të rinjtë që të merrnin pjesë në mënyrë domethënëse në iniciativat që promovojnë kohezionin social ishin shumë të rralla. Me mbështetjen e Fondit për Ndërtimin e Paqes të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ne krijuam një qasje që ju vendosi, nxënësit, në qendër. Një nga hapat më të rëndësishëm në këtë udhëtim ka qenë themelimi dhe forcimi i këshillave të nxënësve, si në nivel shkollor ashtu edhe në atë komunal”, tha ai.

Drejtori ekzekutiv i KYC, Ditjon Fetahu theksoi se mbi 40 për qind e nxënësve në Kosovë janë ndjerë të pasigurt të paktën një herë në oborre apo korridoret e shkollës ndaj sulmeve verbale apo sulmeve online.

“Ne besojmë se shkolla nuk është vetëm një institucion arsimor, është një komunitet. E komuniteti është i sigurt vetëm kur të gjithë ndjehen të dëgjuar, respektuar dhe të lumtur.. 17:07 Realiteti në shkolla nuk është gjithmonë i njëjtë, shumica prej jush përballeni me baza ditore, me sfida të sigurisë dhe paqes. Gati një në tre nxënës në Kosovë, raporton se ka përjetuar një formë të dhunës fizike ose psikologjike në shkollë. Mbi 40 për qind thonë se janë ndjerë të pasigurt të paktën një herë në oborre apo korridoret e shkollës, ndaj sulmet verbale, sulmet online, konflikti mes grupeve të nxënësve janë ndër problemet kryesore që i kemi sot në shkollë”, tha Fetahu.

Fetahu kërkon që zëri i nxënësve të ndihet edhe në institucionet shtetërore.