16:11 / E Hënë, 15 Prill 2024 / Gj. Sh

Sulmi i Iranit ndaj Izraelit, mbrëmë Kosova mblodhi Këshillin e Sigurisë

Mbrëmë, me ftesë të kryeministrit, Albin Kurti u mblodh Këshilli i Sigurisë së Kosovës.

Temë qendrore ishte sulmi i Iranit ndaj shtetit të Izraelit, dhe implikimet e mundshme për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale.

Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte dënuar menjëherë sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke e cilësuar atë si akt të paprecedent që paraqet rrezik për destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe të eskalimit të mëtutjeshëm të situatës së sigurisë.

Sulmi u krye me dronë Shaheed, prodhim iranian. Mijëra dronë të tillë i ka në posedim edhe Serbia, e cila në vazhdimësi shfaqë sjellje agresive ndaj Republikës sonë, veçanërisht përgjatë kufirit që ndajmë.

Në komunikatë thuhet se Institucionet e Sigurisë së Republikës së Kosovës janë duke i përcjellë zhvillimet e fundit me vëmendje të shtuar, dhe janë duke e monitoruar gjendjen e sigurisë në baza të vazhdueshme dhe në bashkërendim e bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe me partnerët strategjikë.