Sulmi në Oslo, Kurti: Lufta kundër urrejtjes është një përgjegjësi që të gjithë e ndajmë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar sulmin e mbrëmshëm në Oslo të Norvegjisë, ku dy persona kanë vdekur dhe 14 të tjerë u plagosen.
Kurti e ka konsideruar sulmin si “masakër” dhe ka thënë se Kosova qëndron me Norvegjinë.
“Zemërthyer për të parë masakrën në Oslo. Urimet tona më të mira për të lënduarit dhe ngushëllimet më të thella për familjet dhe miqtë e të vrarëve. Lufta kundër urrejtjes dhe për kohezionin social është një përgjegjësi që të gjithë e ndajmë – ne qëndrojmë me Norvegjinë” ka shkruar Kurti në Twitter.
Të shtënat u dëgjuan rreth orës 23:00 në tre lokacione në lokal “London Pub” i njohur si vendtakim për homoseksualët, pranë një klubi të xhazit “Herr Nilsen” dhe një tjetër lokali me ushqim që funksionon me shërbim “merr me vete”.
Një i dyshuar është arrestuar dhe janë sekuestruar dy armë.
Policia tha se është duke trajtuar rastin si një sulm terrorist.
Mediat norvegjeze raportojnë se tashmë është anuluar edhe parada vjetore e krenarisë, e cila ishte planifikuar të mbahej të shtunën.