“Sulmi nuk ishte rastësisht në Banjska”/ Kryeziu dëshmon, avokatët e të akuzuarve kundërshtojnë pyetjet e prokurorit

Me ftesë te gjyqtarit Arben Hoti, zyrtari policor, Mirsad Kryeziu, dëshmoi sot në rastin “Banjska”.
Sipas Kryeziut, intensiteti i sulmit ka qenë jashtëzakonisht i madh, nga një strukturë ushtarake e organizuar mirë. Përpara trupit gjykues, Kryeziu rrëfeu në detaje ditën kritike të 24 shtatorit, me theks të veçantë tërheqjen e Afrim Bunjakut nga vendi ku ndodhi sulmi.
“E mora rreshterin dhe u nisa ta dërgoja për në spital. Gjatë kthimit për në spital, personi që më kishte përcjell më goditi në gomën e veturës. I thashë Elezit [Pecit] të vazhdojë tutje për në spital, e unë të kthehem t’u dalë në ndihmë të tjerëve.
Në atë moment pashë dritat e kaltra të policisë, që erdhen me automjete të blinduara. Iu tregova që në veturë kam një koleg të plagosur rëndë dhe një tjetër ka mbetur pas, po ashtu i plagosur… Gjatë rrugës, vozitja ime nuk ka qenë edhe aq e shpejtë për shkak të rrotave dhe automjetit të dëmtuar.
Me të hyrë në spital, më thanë se Afrimi tashmë kishte ndërruar jetë” deklaroi Kryeziu.
Ai tha se organizimi ka qenë i planifikuar dhe se kishte vënë re pjesëtarë të uniformuar, të armatosur, disa me maska e disa pa to. Kryeziu thotë se për shkak të errësirës dhe uniformave të njëjta e ka të vështirë ta identifikojë të dyshuarin.
“Nga përvoja ime policore tash e 25 vjet dhe nga përvoja e luftës, e njoh mirë llojin e armatimit dhe efektin e tyre. Nga viti 2002 e deri tashti, unë kam shërbyer vetëm në njësi të specializuara dhe kam kryer trajnime të shumta në lidhur me përdorimin e armëve dhe njohjen e tyre. Prandaj po them se armët kanë qenë të kalibrit të ndryshëm”, përshkroi Kryeziu.
Avokati i njërit prej të akuzuarve tha se Kryeziu nuk është ekspert të japë kualifikime të veprës juridike penale dhe nuk mund ta bëjë këtë gjë.
Prokurori pyeti Kryeziun se pse sulmi ndodhi pikërisht në atë lokacion dhe atë kohë. Avokatja e njërit nga të akuzuarit u kundërshtua duke thënë se dëshmitari mund të flasë për atë që ka parë dhe jo për qëllimet e dikujt tjetër.
Megjithatë, kjo pyetje u lejua nga trupi gjykues, pasi ishte në interes të gjykatës të dëgjohej deklarata e Kryeziut.
“Sipas mendimit tim, nuk është që ka ndodhur për herë të parë. Gjatë gjithë kohës që qëndronim në veri, nuk ishim të dëshiruar nga po të njëjtit pjesëtarë që ishin të organizuar për gjëra të tilla. Ka pasur edhe sulme të tjera ndaj patrullave të policisë. Pse ai pozicion? Ishte i favorshëm sepse organizimi ka qenë i mirë. Nuk është rastësi që u organizua në Banjska, duke përdorur Manastirin, ku kishte pelegrinë atë ditë, duke përdorur pozita të favorshme për sulm. Ata patën edhe një rrugë për t’u larguar. Pikërisht është zgjedhur ai pozicion”, deklaroi Kryeziu./IndeksOnline/