Sulmohet dhe grabitet një person në Gjilan, dërgohet për trajtim në QKUK

Një ngjarje e rëndë është raportuar të shtunën në fshatin Përlëpnicë të Gjilanit, ku një qytetar është sulmuar fizikisht dhe grabitur nga persona të panjohur.
Sipas policisë, dy persona të dyshuar, që po lëviznin me një veturë, e kanë sulmuar viktimën duke i shkaktuar lëndime trupore dhe më pas i kanë marrë një shumë të caktuar parash, përpara se të largoheshin në drejtim të panjohur.
Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e autorëve.
“Është raportuar se dy persona të dyshuar me një veturë e kanë sulmuar fizikisht viktimën m/k dhe më pas ia kanë marr një shumë parashë dhe kanë ikur në drejtim të panjohur. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, Prishtinë. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë./IndeksOnline/