19:34 / E Premte, 07 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Sulmohet hapësira kibernetike e Kosovës, çfarë rreziku pritet?

Siguria nacionale e Kosovës është vënë në rrezik për shkak të sulmeve në ueb faqet e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës nga hakerët.

Ministria e Punëve të Jashtme e ka konfirmuar një gjë të tillë në orët e mbrëmjes së ditës së sotme,  duke thënë se këto 24 orët e fundit institucionet shtetërorë kanë përjetuar sulm të fuqishëm kibernetik, e këto sulme po vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Sipas tyre, autoritetet përkatëse janë përgjigjur dhe po punojnë për të mbajtur sistemin e komunikimit të sigurt dhe në funksion.

“Dje sistemi i Ministrisë së Punëve të Jashtme  të Kosovës ka përjetuar një sulm kibernetik. Autoritetet përkatëse janë përgjigjur dhe po punojnë për të mbajtur sistemin e komunikimit të sigurt dhe në funksion. Hetimet fillestare tregojnë se burimet e sulmeve kryesisht vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”

Kurse përveç institucioneve shtetërore brenda vendit, nga këto sulme kibernetike janë prekur edhe institucionet jashtë Kosovës si ato diplomatike nëpër botë.

Mentor Hoxhaj, ish- mbikëqyrës shtetëror në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ekspert i sigurisë se informacionit ka thënë për Indeksonline se siguria kibernetike në Kosovë lë shumë për të dëshiruar.

Ku si pasojë e kësaj edhe ka ardhur me lehtësi deri te sulmet që kanë goditur sot hapësirën kibernetike.

“Siguria Kibernetike në nivel te Kosovës le mjaftë për të dëshiruar. Standardet e Sigurisë së Informacionit dhe Sigurisë kibernetike nuk janë të implentuara, kemi një numër shumë të vogël të institucioneve private të certifikuara me standardet ndërkombëtare të sigurisë” është shprehur Hoxhaj për Indeksonline.

Sipas tij, rasti fundit i sulmeve kibernetike që ka goditur Kosovën është munduar të fshihet nga institucionet.

“Ne kemi hasur shpesh edhe në fshehje të sulmeve kibernetike,  siç ishte rasti i fundit, ku një numër relativisht i madhe i institucioneve është prekura nga Ransomware, ku nuk dihet për dëmet e shkaktuara” ka theksuar Hoxhaj.

Ai ka shtuar se kjo është në kundërshtim me standardet dhe legjislacionin vendor që lidhet me këto sulme.

“…ky mos raportim është ne kundërshtim me standardet e sigurisë dhe legjislacionin vendor dhe ndërkombëtare. Është e domosdoshme të raportohen sulmet kibernetike ne parim me standardet. Pasojë e tyre vinë dëmet si,  Data breach – Hakimi të dhënave, Privacy breach – Hakim i të dhënave personale, Data incident -qasje në të dhëna” ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj për Indeksonline tha se institucionet kompetente duhet të njoftojnë për këto sulme dhe masat të cilat janë marrë, pasi që rrezikohen edhe qytetarët.

“Ne dëgjojmë për sulmet po nuk kemi informacione për llojin e sulmit, origjinën dhe dëmet e shkaktuara apo ato dëme që priten të shkaktohen. E aq më pak për masa e marra apo ato masa që po mirën nga organet reaguese, që do të duhej që me CERT të aktivizoheshin, ngase kjo është detyra e tyre” ka thënë Hoxhaj.

Ndryshe, ende nuk ka ndonjë lajmërim nëse rreziku nga këto sulme është evituar apo ka gjasa që hapësira kibernetike në Republikën e Kosovës të jetë e kërcënuar./Indeksonline/