Sulmohet policia në Ferizaj dhe në Kaçanik
Dy incidente të ndara janë raportuar nga Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme, ku zyrtarë policorë janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrës në Ferizaj dhe në Kaçanik.
Dy persona janë arrestuar nga policia në Ferizaj pasi që, sipas raportit zyrtar, kanë penguar dhe sulmuar zyrtarët policorë duke mos përfillur urdhrat ligjorë. Si pasojë e incidentit, një polic ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Një tjetër rast sulmi ndaj policisë është regjistruar në Kaçanik. Sipas raportit, patrulla policore kishte dalë në vendin e ngjarjes për të menaxhuar një aksident trafiku, por gjatë intervenimit njëri nga personat e përfshirë nuk iu bind urdhrave të policisë dhe sulmoi zyrtarët policorë.
Zyrtarët kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rastet po hetohen, ndërsa ka apeluar që sulmet ndaj zyrtarëve të rendit të ndalen, pasi çdo akt i tillë përbën vepër të rëndë penale./IndeksOnline/

