10:23 / E Enjte, 01 Qershor 2023 / MSH

Sulmohet punëtori i “KRU Gjakova”, në një autolarje që përdorte ujin ilegalisht

Një konflikt ka ndodhur dje mes Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” dhe punonjësve të një autolarjeje në Gjakovë.

Nga KRU “Gjakova” thonë për Indeksonline se deri të konflikti ka çuar pasi zyrtarët e KRU-së kanë shkuar në autolarjen që dyshohet se shfrytëzonte ilegalisht ujin.

“Nuk i kanë lanë me hy brenda. Punëtorin tonë e kanë shty, është rrëzu dhe është lëndu. Ne e kemi lajmëru policinë dhe ka dalë në vend të ngjarjes edhe policia. Me rastin tash po merren organet e drejtësisë” kanë deklaruar nga KRU “Gjakova”.

Në anën tjetër, rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili ka deklaruar për Indeksonline se i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit,  i dyshuari është dërguar në mbajtje” ka thënë Elezaj.