Sulmoi një police dhe posedonte armë pa leje, një muaj paraburgim për të dyshuarin

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë të pandehurit Z.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale: “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Dje rreth orës 11:30, në një lagje të Gjakovës, i pandehuri në shtëpinë e tij sulmoi zyrtaren policore D.N., gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Pasi patrulla policore po kryente kontroll sigurie për një rast të vrasjes në tentativë, i pandehuri, i revoltuar me vajzën e tij E.Z., tenton ta sulmojë atë.
Zyrtarja ndërhyn për ta penguar, por i pandehuri e shtyn, e fyen me fjalë ofenduese dhe e godet në gjoks e bark, duke ia hequr pajisjen zyrtare (sprej-in).
Gjatë kontrollit, në katin e dytë të shtëpisë, policia gjen një armë automatike AK-47 me katër karikatorë, 13 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, një dylbi të zezë dhe tre karikatorë të tjerë në dhomën e të pandehurit.
Të gjitha armët dhe municioni mbaheshin në kundërshtim me Ligjin për Armët.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rënda, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, i ndikimit në prova dhe rreziku i ikjes.
I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 20 dhjetor 2024 dhe do të zgjasë deri më 19 janar 2025.