75 Mall Live Search
08:43 / E Hënë, 25 Gusht 2025 / H F

“Sunday Times”: Shqiptarët bëjnë kthime vullnetare nga shteti ishull, zbulohet sa para marrin

Këto pamje tregojnë dëbimin e përjavshëm të shqiptarëve pa dokumente nga Anglia për në Shqipëri me avionë charter, paguar nga Ministria e Brendshme, Home Office.

Krahas tyre gazeta “Sunday Times” së cilës i referohet Top Channel, i kushton një shkrim të gjatë shqiptarëve të cilët vullnetarisht kthehen dhe marrin nga Qeveria angleze shumën e 1.200 stërlinave.

Gazetari Richard Assheton ka udhëtuar drejt Kukësit dhe sjell historinë e kthimit vullnetar të 32-vjeçarit, Ardit Shehu.

“Ky shqiptar, azili i cili u refuzua, na deklaroi me një theks të rëndë londinez: ‘Bro, tani Anglia është e mbaruar’”.

Kështu nis artikulli “Sunday Times”.

Kjo thuhet në artikull sepse Britania e Madhe dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar në një skemë riatdhesimi të përshpejtuar që ka zmbrapsur fluksin e mbërritjeve me gomone që në vitin 2022 arriti në gati 13.000 persona.

Sipas “Sunday Times”-it të Londrës që nga marrëveshja mes Rishi Sunakut dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama në vitin 2022, Britania ka deportuar mbi 13,000 shqiptarë.

Kjo është afërsisht trefishi i numrit të atyre që deportoheshin gjatë viteve 2010. Shqiptarët janë tani kombësia më e deportuar dhe mbërritjet e tyre me varka të vogla kanë rënë me 95%.

“Policia, sa herë që flasim [në rrugë] na ndalon”, ka thënë një shqiptar në një kafene në Kukës . “E di? Për të arrestuar shqiptarët, vetëm shqiptarët”.

Ai kishte jetuar në Barking në lindje të Londrës dhe kishte punuar me para në dorë në të zezë, në kantier ndërtimi, por u deportua gjashtë muaj më parë, tha ai.

Ervin Hoxha, ministri i Brendshëm ka deklaruar për “Sunday Times”-in: “Përpjekjet tona të përbashkëta e kanë kthyer këtë çështje në një histori suksesi”. Ai tha se Shqipëria ishte “mirënjohëse” ndaj Britanisë për bashkëpunimin.

Edval Zoto, i cili deri vitin e kaluar drejtonte një projekt të financuar nga Britania si pjesë e marrëveshjes për kthimet dhe përpiqej të bindte njerëzit nga Kukësi të mos emigronin drejt Britanisë, tha se: “Nuk mendoj se Rama po e përdor këtë marrëveshje për përfitim politik… përveç ruajtjes së marrëdhënieve të mira me Britaninë”.