Superliga rikthehet me duele interesante, spikat derbi Drita-Prishtina

Superliga e Kosovës në futboll, rikthehet këtë mesjave më ndeshjet e xhiros së 12-të.
Sot do të luhen dy ndeshje, derisa nesër zhvillohen tri ndeshjet e fundit të kësaj mesjave, e cila parashikohet të jetë e zjarrtë.
Përballja e rivalëve të vjetër, Drita-Prishtina, takim ky që luhet sot në Gjilan, padyshim se është kryendeshja e kësaj xhiro.
Rivaliteti mes këtyre dy skuadrave dhe rëndësia e pikëve, pritet ta bëjë tejet interesante duelin e sotëm mes gjilanasve dhe prishtinasve.
Gjilanasit janë në një ecuri shumë të mirë dhe momentalisht e kryesojnë renditjen në Superligë me 27 pikë, pesë më shumë se përcjellësi më i afërt, Ballkani, por suharekasit i kanë dy ndeshje më pak të zhvilluara. Ndërsa, Prishtina renditet në pozitën e katërt me 15 pikë nga 10 ndeshje.
Ferizaj-Malisheva, është një tjetër sfidë interesante që luhet sot pasdite. Të dy skuadrat synojnë rezultat pozitiv në mënyrë që të ikin sa më shpejtë zonës së rrezikshme.
Ndërkaq, nesër pasdite vijnë edhe tri duele joshëse, ku përballen Llapi – Dukagjini, Ballkani – Trepça ’89, dhe Gjilani – Drenica.
Superliga/Java e 12-të
Sot takohen:
Drita – Prishtina 13:00
Ferizaj – Malisheva 13:00
Nesër takohen:
Llapi – Dukagjini 13:00
Ballkani – Trepça ’89 13:00
Gjilani – Drenica 13:00
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 13:00.