Supremja merr vendim për rregulloren për organizim dhe sistematizim të vendeve të punës në AKPPM

Gjykata Supreme e Kosovës në çështjen juridike në konfliktin administrativ sipas padisë së paditësve: L.F., A.V., A.L.Z., Xh.I., P.Gj., L.B., H.S., M.R., A.I., S.T., të cilët i përfaqëson Ardian Bajraktari, avokat, sipas autorizimit, kundër të paditurës: Zyra e kryeministrit dhe Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), përfaqësuar nga Ministria e Drejtësisë – Avokatura Shtetërore, avokat Bedri Krasniqi, me bazë juridike: shfuqizimin e aktit nënligjor normativ – Rregulloren (ZKM) Nr.04/2025 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, me kërkesë për caktimin e masës së posaçme/përkohshme të sigurimit, në shqyrtimin gjyqësor publik, të mbajtur në praninë e palëve ndërgjyqëse, më 22 shtator ka aprovuar pjesërisht të bazuar kërkesëpadinë e paditësve në fjalë.
Është shpallur e paligjshme dhe është shfuqizuar Rregullorja (ZKM) Nr.04/2025 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, e publikuar në Gazetën zyrtare më 18.04.2025.
Pjesa tjetër e kërkesëpadisë së paditësve është refuzuar, si në pikën I, me të cilën kanë kërkuar që të detyrohet e paditura: Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), me seli në Prishtinë, që të nxjerrë aktin nënligjor normativ në përputhje me dispozitat ligjore.
Po ashtu, është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, me të cilën paditësit kanë kërkuar ndalimin e prodhimit të pasojave juridike të Rregullores, deri në vendosjen meritore sipas kërkesëpadisë.
Bashkëngjitur linku i aktgjykimit të publikuar: https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP__12_2025_SQ.pdf