Supremja shfuqizon rregulloren e re për funksionalizimin e koordinatorit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, në një çështje juridike në konflikt administrativ, ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar Rregulloren nr. 04/2025 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për themelimin dhe funksionalizimin e koordinatorit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik.
Ky vendim është marrë në seancën e shqyrtimit gjyqësor publik të mbajtur më 14 korrik 2025, me pjesëmarrjen e palëve ndërgjyqëse.
Padia ishte paraqitur nga Shqipdon Fazliu, nga Gjilani, përfaqësuar nga shoqëria e avokatëve “Kërveshi & Partners”, avokati Kujtim Kërveshi, ndërsa pala e paditur ishte Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), përfaqësuar nga Besë Mujaj, ushtruese e detyrës së udhëheqësit të Divizionit për përfaqësim ligjor në sekretariatin e KPK-së. G
Gjykata, me aktgjykimin P.A.nr.10/2025, ka aprovuar kërkesëpadinë e paraqitur nga Fazliu, duke shpallur si të paligjshme dhe duke shfuqizuar Rregulloren nr.04/2025, të datës 30.04.2025 (nr. prot. 824/2025) dhe të datës 05.05.2025.
Njoftimi i plotë:
Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen juridike në konflikt administrativ sipas padisë së paditësit: Shqipdon Fazliu, nga Gjilani, të cilin e përfaqëson shoqëria e avokatëve “Kërveshi & Partners”, Kujtim Kërveshi, sipas autorizimit, kundër të paditurit: Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), të cilin e përfaqëson Besë Mujaj, ushtruese e detyrës së Udhëheqësit të Divizionit për Përfaqësim Ligjor në Sekretariatin e KPK – së, sipas autorizimit, me bazë juridike: shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e aktit nënligjor normativ, Rregullores nr.04/2025 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Themelimin dhe Funksionalizimin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, të datës 30.04.2025, nr. prot.824/2025, dhe datë 05.05.2025, në seancën e shqyrtimit gjyqësor publik të mbajtur në praninë e palëve ndërgjyqëse më datë 14.07.2025, ka aprovuar të themeltë kërkesëpadinë e paditësit: Shqipdon Fazliu, nga Gjilani, e paraqitur kundër të paditurit: Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), me seli në Prishtinë.
Me aktgjykimin P.A.nr.10/2025 është shpallur e paligjshme dhe është shfuqizuar Rregullorja nr.04/2025 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Themelimin dhe Funksionalizimin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, e datës 30.04.2025, nr. prot.824/2025, dhe datë 05.05.2025.
Bashkëngjitur linku i aktgjykimit të publikuar: https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP__10_2025_SQ.pdf