75 Mall Live Search
13:30 / E Hënë, 08 Nëntor 2021 / MSH

Suspendohet gjyqtarja që dënoi me 8 muaj burgim të akuzuarin për dhunimin e një të miture

Është suspenduar nga puna gjyqtarja Florije Zatriqi, e cila dënoi me 8 muaj burgim një të akuzuar për dhunimin e një të miture.

Lajmi është bërë i ditur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku pas hetimit të rastit disiplinor, është marrë vendimi që Zatriqi të suspendohet nga ushtrimi i detyrës së gjyqtarës, deri në një vendim tjetër të KGjK-së.

“Është themeluar paneli hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/10/2021/GJTHPE-AD/GJTHPE/15/21 dhe është vendosur për suspendimin e gjyqtares F.Z deri në një vendim tjetër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës” thuhet në vendimin e KGjK-së.

Florije Zatriqi, gjyqtare në Gjykatën Themelore në Pejë, kishte dënuar me 8 muaj burgim të akuzuarin P.K., për dhunimin e një të miture në janar të vitit 2012.

Viktima aso kohe kishte qenë 15 vjeç, teksa rasti kishte dalur para gjykatës dy muaj më parë, më shumë se 9 vite më vonë

Vepra penale që i akuzuari P.K., kishte kryer, sipas Ligjit, parashihte shqiptimin e dënimit nga 5 deri në 20 vite burgim.

Por që Zatriqi, me shumë arsyetime, e kishte zbutur këtë dënim në 8 muaj burgim.

Gjyqtarja kishte arritur të gjejë 10 arsyetime lehtësuese për të shqiptuar dënimin, ndër të tjerash edhe faktin se i akuzuari ka qenë në një moshë të pajekur (21 vjeç aso kohe), dhe se ka kaluar kohë që nga ndodhia e ngjarjes.

8 muaj burgim për të akuzuarin nuk do të ekzekutohen, për shkak se ky i fundit i kishte kryer në paraburgim kur ishte paraqitur rasti, gjë që e rëndoi edhe më shumë vendimin e Zatriqit.

Vendimi i saj kishte nxitur reagimin e masës, sidomos të shoqërisë civile, e cila kërkoi shkarkimin e Zatriqit nga puna.