75 Mall Live Search
21:27 / E Premte, 10 Maj 2024 / MSH

Suspendohet kryetari i Sindikatës së Policisë, incizoi fshehurazi kolegët

Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi më herët se ka rekomanduar suspendimin e një togeri policor, nën dyshimin se i njëjti ka fotografuar dhe bërë incizime të paautorizuara.

Burime të Indeksonline pohojnë se personi në fjalë është kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri.

Indeksonline ka kontaktuar këtë të fundit por që i njëjti nuk është përgjigjur në telefon.

Sipas burimeve, ekziston dyshimi se Zeqiri ka incizuat pa autorizim kolegët e tij të zyrës.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës. Zyrtarët e IPK-së kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e IPK-së./Indeksonline