75 Mall Live Search
19:56 / E Mërkurë, 31 Janar 2024 / S Z

Sveçla: Objekti në aneksin e Stacionit Policor ishte i një OJQ-je, kryente veprimtari ilegale

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, ka reaguar pas operacionit që u zhvillua në qendër të Prishtinës, afër stacionit policor. Sveçla ka theksuar se ky objekt është tejet i dyshimtë dhe se paraqet rrezik për sigurinë e vendit.

“Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve. Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je”, ka deklaruar Sveçla.

Postimi i plotë i Sveçles:

Në mëngjesin e sotëm kemi pranuar informatën mbi aktivitetin e dyshimtë të një Organizate Joqeveritare, e vendosur në një aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë.

Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve.

Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je.

Kësisoj, kemi njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit.

Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit.Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria.