75 Mall Live Search
13:44 / E Premte, 11 Shkurt 2022 / A. M.

Sveçla e quan lajm të mirë për Kosovën njohjen e patentë shoferëve nga Gjermania

Në seancën e Bundesratit në Gjermani, sot është votuar njohja e ndërsjellë e patentë shoferëve mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë që ky sukses është rezultat i një angazhimi të madh të ekipeve tona, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për punën e tyre të palodhshme si dhe kërkesa më e shpeshtë e qytetarëve tanë kudo nga Gjermania.

“Që nga marrja e detyrës kemi punuar intensivisht që ky proces të përfundojë suksesshëm dhe sa më parë. Marrëveshja sipas legjislacionit në Republikën Federale të Gjermanisë ka marrë aprovimin e të gjitha landeve dhe patentë shoferët do të njihen në tërë Gjermaninë”.

“Të dashur qytetarë që jetoni kudo në diasporë, lehtësimi i jetës dhe veprimtarisë suaj është përgjegjësi e jona në bashkëpunim me shtetet aleate ku ju jetoni. Në të gjitha takimet me homologët e mi kam ngritur këtë dhe çështje të tjera për ju.

Këtë javë ne kemi marrë aprovimin e Qeverisë sonë për nismat e marrëveshjeve të tilla edhe me Turqinë e Kanadanë dhe jemi në proces me Italinë e Austrinë dhe natyrisht do të njoftoheni me të gjitha proceset që do të nisim apo finalizojmë”, ka thënë ai.