23:06 / E Hënë, 21 Nëntor 2022 / AR

Sveçla garanton siguri në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se garantimi i sigurisë është mision e detyrë e tyre të cilën do e zbatojnë me përpikmëri e vendosmëri.

Sveçla thotë se “Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë Republikës së Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë”.

Tutje ministri shkruan se “ligjshmëria, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë rruga e duhur dhe e vetme në mbrojtjen e frymës dhe vet institucioneve, sundimin e rendit e të ligjit dhe garantimin e sigurisë publike”, raporton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Kohëve të fundit është shtuar e zgjeruar në lloje e metoda propaganda dhe dezinformacioni nga përkrahësit dhe të punësuarit e Serbisë. Natyrisht qëllimi i tyre është për t’ju shqetësuar e shtuar pasigurinë tek ju. Për çdo orë po shpërndahen kinse informata duke asociuar ndodhi nga e kaluara e largët dhe e dhimbshme.

Por të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare, siguria e të gjithëve, pa asnjë dallim, është mision, detyrë dhe mandat i yni kushtetues e ligjor që do ta zbatojmë me përpikmëri e vendosmëri.

Bashkëpunimi i ngushtë mes nesh, komunikimi i ndërsjellë dhe fryma e mirëkuptimit lehtësojnë zbatimin e misionit tonë. Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë Republikës së Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë.

Ligjshmëria, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë rruga e duhur dhe e vetme në mbrojtjen e frymës dhe vet institucioneve, sundimin e rendit e të ligjit dhe garantimin e sigurisë publike.

Ju lus të gjithëve për bashkëpunim me përfaqësuesit e shtetit, zyrtarët policorë, solidarizim ndërshoqëror dhe ndërveprim me të gjitha institucionet e vendit tonë të cilët po  kujdesen për zbatim të vendimeve tona të drejta.

Ne kemi qenë gjithnjë në rrugën e drejtë si popull e shoqëri. As u kemi shkaktuar të tjerëve padrejtësi as i kemi mbështetur ato kur u kanë ngjarë popujve të tjerë. Njëjtë jemi dhe sot.

Të gjithë bashkë për vendin tonë, për demokracinë e ligjin tonë!