Sveçla konfirmon arrestimin e Igor Popoviqit

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar shoqërimin e Igor Popoviqit në stacion policor, pasi ky i fundit mbajti fjalim anti-UÇK.
Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Serbi, mbajti sot një fjalim në Rahovec, ku mes të tjerash ofendoi rëndë luftën dhe sakrificën e UÇK-së për liri të vendit, duke e quajtur UÇK-së organizatë terroriste, shkruan IndeksOnline.
“Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare” tha Sveçla.
Ai shtoi se nuk do të tolerojnë fyerje dhe përdhosje të historisë së vendit, aq më pak të luftës çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja.
Ky është postimi i plotë i Sveçlës:
Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Serbi, ka mbajtur sot një fjalim në Rahovec. Deklarimet e tij gjatë fjalimit kanë nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë. Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore.
Për këtë shkak, zyrtari i Qeverisë së Serbisë është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë.
Dua të theksoj se Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe sovran. Ne as nuk kemi cenuar një shtet tjetër, as nuk kemi provokuar popullatën e një shteti tjetër dhe as nuk do të lejojmë veprime të tilla ndaj nesh.
Nuk do te tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare.
Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare.