75 Mall Live Search
16:33 / E Mërkurë, 24 Shtator 2025 / S Z

Sveçla: Ne kurrë nuk kemi sulmuar askënd, ne kurrë nuk ia kemi prekur askujt familjen

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë akademisë përkujtimore të mbajtur për rënien e heroit Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit tha se Kosova ishte e detyruar të luftonte e të sakrifikonte për të siguruar paqen dhe lirinë për brezat e ardhshëm.

Sveçla edhe njëherë ka përsëritur kërkesën që kryesit e sulmit dhe vrasjes së Afrim Bunjakut të dalin para drejtësisë.

“Historia jonë tregon se duke qenë në të drejtën tonë kemi qenë të detyruar të luftojmë e të sakrifikojmë jo vetëm për ta mbrojtur atë, por edhe për t’u siguruar brezave të ardhshëm paqen dhe lirinë. Përballë kemi pasur dhe kemi një fqinj agresor që ka mbjellë urrejtje dhe ka ushqyer e financuar projekte për pushtim, dhunë e terror. Ne kurrë nuk kemi sulmuar askënd, ne kurrë nuk ia kemi prekur askujt familjen, pronën, shtëpinë apo dëmtuar jetën e shkelur të drejtat. Në këtë dyvjetor të sulmit më të madh terrorist të pasluftës dhe të rënies së heroit, përsërisim kërkesën që terroristët të dorëzohen pa kushte para drejtësisë sonë. Drejtësia për vrasësit e heroit Afrim dhe për organizimin e sulmit është lehtësim i dhimbjes kolektive dhe e vetmja garanci që një agresion i tillë të mos përsëritet kurrë më”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, theksoi se Kosova do të mbetet një shtet i lirë.

“Jemi mbledhur sot për të kujtuar një ngjarje që shënoi dhimbje dhe krenari në historinë tonë të re. Si dhe për të dhënë një mesazh solemn që Kosova është dhe do të mbetet një shtet i lirë dhe një vend i sovranitetit dhe i drejtësisë”, tha ai.