Sveçla pas arrestimit të spiunit serb: Po çmontohen me sukses rrjetet e spiunazhit në Kosovë

Xhelal Sveçla ministri në detyrë i Punëve të Brendshme ka reaguar pas arrestimit të zyrtarit policor Bojan Jevtić, nën dyshimin për veprimtari të kundërligjshme të spiunazhit për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë.
Postimi i plotë:
Pas një hetimi të gjatë nga institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, sot është arrestuar zyrtari policor Bojan Jevtić, nën dyshimin për veprimtari të kundërligjshme të spiunazhit për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë.
Ky është i arrestuari i gjashtë me radhë për rastet e spiunazhit në Kosovë. Njëri nga të dyshuarit tashmë e ka pranuar fajësinë, duke konfirmuar seriozitetin, profesionalizmin e institucioneve si dhe përfshirjen e Serbisë në përpjekjet destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës.
Fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe rolin e besuar në Polici.
Ndaj si çdo herë do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë përballë çdo përpjekje që nëpërmjet hapësirës që vendi ynë u jep në Polici të kthehet në sulm ndaj republikës sonë.Profesionalizmi, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës edhe ketë here ka treguar se është thelbësor në arritjen e rezultateve në luftën ndaj veprimtarive të kundërligjshme në mënyrë specifike atyre të rrezikshmërisë së lart që shpesh herë burimin e kanë në strukturat e inteligjencës serbe.
Republika e Kosovës, si asnjëherë më parë, po e forcon sovranitetin, integritetin dhe rendin kushtetues, dhe në këtë mision të shenjtë edhe përcaktimi ynë për përkrahje të gjithanshme të institucioneve të sigurisë ka treguar se është esenciale në ketë drejtim.Luftimi i veprimtarive të kundërligjshme do të vazhdoj sikurse jam i bindur se edhe sukseset nuk do të mungojnë!