Sveçla pret në takim delegacionin e amerikanëve – për mediat zotohet se “pa asnjë hezitim do të zbatohet reciprocitetin nga 1 shtatori”

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur në takim një delegacion të prirë nga David Johnson, Ambasador dhe Negociator Special per Çështjet e Zhvendosjes, Jeffrey Hovenier Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Steven Naplan, zv. Negociator Special për Çështjet e Zhvendosjes dhe Kyle Hatcher, Koordinator per Refugjatet në Ambasadën Amerikane në Kosovë.

“Në këtë takim diskutuam mbi ecurinë e procesit të pranimit dhe strehimit të shtetasve afganë në kuadër të 1 vjetorit të fillimit të këtij procesi. Republika e Kosovës deri më tash ka zhvilluar me sukses këtë operacion falë angazhimit të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, si aleatët tanë kryesorë jo vetëm në këtë proces por edhe në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit tonë. Falenderova delegacionin dhe ritheksova gatishmërinë për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në realizimin e qëllimeve të përbashkëta”, ka shkruar ai në Facebook.

–
Nga 1 shtatori, Kosova pritet të fillojë zbatimin e vendimit për reciprocitet me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet. Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla thotë se Policia e Kosovës është e gatshme të zbatojë vendimin.
Ai beson se qytetarët serb në veri e kanë kuptuar nevojën e zbatimit të këtij vendimi i cili është me përfitime për ata.
Zbatimi i vendimit më herët, thotë ministri i Brendshëm i Kosovës është penguar nga strukturat kriminale që janë pasuruar dhe fuqizuar me ndihmën e Beogradit për të luftuar shtrirjen dhe sundimit dhe ligjit në atë zonë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të fillojë zbatimin e këtyre dy vendimeve dhe pa asnjë hezitim ne ato vendime do t’i realizojmë. Bëhet fjalë për një lëshim të dokumentit për hyrje-dalje të shtetasve të Serbisë në Kosovë, gjë e cila ndodh me shtetasit e Kosovës tashmë për 11 vite. Dhe vendimi i dytë është kalimi i veturave me targa ilegale në vetura me targa legale. Edhe ky një vendim plotësisht i ligjshëm dhe i bazuar në marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel. Po, ka pasur tendenca destabiliteti nga struktura kriminale në veri të mbështetura dhe të drejtuara nga Beogradi e të shtyra nga Moska. Por unë jam i bindur se institucionet e sigurisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme si bartëse e këtij procesi, janë plotësisht të pjekura, të gatshme dhe mjaftueshëm të forta që të zbatojnë këto dy vendime”, tha ai.
Sipas tij, zbatimi i këtyre dy vendimeve u shty për një muaj me qëllim që qytetarët e etnisë serbe në Kosovë të informohen sa më shumë, sa më drejt për këto dy vendime, derisa ka folur edhe për veriun e vendit, ku ka thënë se kanë realizuar disa aksione por që janë përballur edhe me strukturat kriminale të nxitura nga Serbia.