Sveçla: Serbia ka punësuar shtetas të Kosovës në strukturat e saj të sigurisë – njëri prej tyre u privua nga shtetësia

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Serbia po ndërmerr përpjekje sistematike për destabilizimin e brendshëm të Republikës së Kosovës, përfshirë përfshirjen e shtetasve të Kosovës në institucionet e saj të sigurisë dhe inteligjencës.
Në një deklaratë publike, Sveçla tha se veprime të tilla përbëjnë shkelje të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe paraqesin rrezik serioz për sigurinë kombëtare. Ai theksoi se Serbia ka rekrutuar shtetas të Kosovës në strukturat e saj policore, duke i përdorur si instrumente për minimin e rendit kushtetues të Kosovës.
“Sot, bazuar në legjislacionin në fuqi për shtetësi dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, kam marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujović, për shkak të rrezikimit të sigurisë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”, deklaroi Sveçla.
Ministri theksoi se institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë asnjë përpjekje që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
“Çdo shtetas i Republikës së Kosovës duhet ta ketë të qartë: nuk mund dhe nuk do të tolerohet në asnjë formë cënimi i sigurisë kombëtare. Kosova është vendi i të gjithë qytetarëve të saj, por askujt nuk do t’i lejohet të shërbejë si instrument i interesave të huaja që dëmtojnë shtetin tonë”, përfundoi Sveçla. Ai garantoi se institucionet e vendit mbeten të përkushtuara për ruajtjen e rendit, ligjit dhe sigurisë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.