23:43 / E Shtunë, 20 Gusht 2022 / MSH

Sveçla viziton veriun: Situata është e qetë dhe stabile

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka vizituar sot veriun.

I shoqëruar nga zv.ministri Bardhyl Dobra, Sveçla vizitoi veriun dhe panë nga afër punën e Policisë se Kosovës dhe KFOR-it.

Ai vlerësoi se situata në komunat me shumicë serbe, është e qetë dhe stabile.

“Nga kjo vizitë, ne pamë nga afër se ata suksesshëm po përmbushin detyrat e tyre në zbatimin e ligjit, ruajtjen e paqes dhe ofrimin e një stabiliteti të qëndrueshëm si qëllim yni i përbashkët. Angazhimi i tyre i përditshëm në ofrimin e sigurisë dhe vendosjen e ligjshmërisë janë edhe lehtësim por edhe garancë për një jetesë më të mirë të banorëve të kësaj zone” shkroi Sveçla në facebook.

Ai tutje bëri me dije se institucionet e Republikës së Kosovës do të sigurohen që qytetarët të kenë levizje të lirë, pa dallim dhe në përputhje ne ligjet në fuqi.

“Do të jemi zbatues të vendimeve të drejta dhe ligjore të cilat janë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës” shtoi Sveçla.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Sot, së bashku me zëvendësministrin Bardhyl Dobra dhe ekipen, realizova vizitat e rregullta në komunat veriore të Republikës së Kosovës.

Nga takimet e shumta me pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe KFOR kuptuam se situata në këto komuna është e qetë dhe stabile. Nga kjo vizitë, ne pamë nga afër se ata suksesshëm po përmbushin detyrat e tyre në zbatimin e ligjit, ruajtjen e paqes dhe ofrimin e një stabiliteti të qëndrueshëm si qëllim yni i përbashkët. Angazhimi i tyre i përditshëm në ofrimin e sigurisë dhe vendosjen e ligjshmërisë janë edhe lehtësim por edhe garancë për një jetesë më të mirë të banorëve të kësaj zone.

Institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të sigurojnë lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët pa dallim, në përputhje me ligjet në fuqi. Do të jemi zbatues të vendimeve të drejta dhe ligjore të cilat janë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.