75 Mall Live Search
10:03 / E Diele, 16 Nëntor 2025 / BA

Sydney Sweeney tregon si humbi rreth 13.5 kg për më pak se dy muaj

Sydney Sweeney ka zbuluar së fundmi regjimin e rreptë me të cilin arriti të humbiste rreth 13.5 kilogramë në më pak se dy muaj, pasi përfundoi xhirimet e filmit të saj të ri “Christy”.

Aktorja, 28 vjeç, i tregoi People se për t’u futur në rolin e boksieres Christy Martin, fillimisht ishte dashur të shtonte peshë duke ngrënë sasi të mëdha ushqimi dhe duke ndërtuar shumë masë muskulare.

“Për ‘Christy’ haja shumë, shumë ushqim,” –rrëfeu ajo, duke shtuar se regjimi i saj ishte i fokusuar te shtimi i masës trupore për të qenë sa më besnike ndaj figurës së boksieres së famshme.

Por sapo xhirimet mbaruan dhe erdhi momenti që t’i kthehej fizikut të saj të zakonshëm, Sweeney ndryshoi menjëherë drejtim.

Sydney shpjegon se hapi i parë për të rënë nga pesha ishte, në fakt, të ndalonte palestrën dhe të hiqte dorë nga proteinat shtesë:

“Ndala stërvitjen dhe gjitha ‘protein shakes’ që po i pija pa fund për filmin,” –tha ajo. “Doja të humbisja muskujt që kisha ndërtuar. Është gjëja e parë që shkon, para yndyrës. Kështu që atë e humba për dy javë.”

Aktorja shtoi se gjatë përgatitjes për rolin kishte marrë edhe shumë kreatinë:

“Po merrja shumë kreatinë për rolin, dhe ajo thjesht të fryn,” – shpjegoi ajo. “I ndërpreva të gjitha këto sapo mbaruan xhirimet.”

Pjesa tjetër e procesit të saj të dobësimit, sipas saj, u mbështet te një dietë shumë e pastër dhe shumë kardio, në mënyrë që të rikthehej te fiziku i saj i zakonshëm, i nevojshëm për projektet e radhës.

Sydney tregon se koha ka qenë jashtëzakonisht e kufizuar:

“Kisha vetëm shtatë javë përpara se të nisja xhirimet për ‘The Housemaid’ dhe sezonin e tretë të ‘Euphoria’,” –tha ajo. “Duhej të isha shumë strikte me veten.”

Megjithatë, ajo pranoi se nuk e sheh këtë lloj transformimi fizik si diçka që do ta përsëriste shpesh:

“Kjo mund të jetë hera e parë dhe e fundit që e ndryshoj kaq shumë pamjen time për një rol,” –u shpreh ajo, duke shtuar me buzëqeshje se është “mirënjohëse që metabolizmi i punon shumë mirë”.

“Nuk dua të them që ka qenë super e lehtë,” -sqaroi Sweeney. “Por kam qenë një person shumë aktiv gjithë jetën. Si fëmijë isha tepër aktive dhe gjithmonë kam qëndruar në lëvizje. Kam pasur gjithmonë një metabolizëm të mirë. Mund të shtoj peshë, por mund edhe ta humbas.”