Syla: OBSH s’rekomandon përdorimin e rregullt të dorezave, por instalimin e stacioneve të higjienës

Skënder Syla, shef i zyrës së OBSH-së në Kosovë, përmes një postimi të bërë në llogarinë Facebook, ka thënë se Organizata Botërorë e Shëndetësisë nuk rekomandon përdorimin e rregullt të dorezave në komunitet, pasi që përdorimi i tyre sipas tij rrit rreziqet deri te vetë-infeksioni, transmeton Indeksonline.
Syla thotë se OBSH rekomandon instalimin e stacioneve të higjienës publike përmes pastrimit të duarve në hyrje dhe dalje.
Ky është postimi i plotë i tij:
OBSH nuk rekomandon përdorimin e rregullt të dorezave në komunitet. Përdorimi i dorezave mund të rrisë rreziqet, pasi mund të çojë në vetë-infeksion ose bartje tek të tjerët përmes prekjes së sipërfaqeve të kontaminuara, e cila nuk pasohet nga heqja e dorezave dhe higjenës së duarve.
Prandaj, në vendet publike siç janë supermarketet, përveç distancës fizike, OBSH rekomandon instalimin e stacioneve të higjienës publike për pastrimin e duarëve në hyrje dhe dalje.
Duke përmirësuar gjerësisht praktikat e higjienës së duarve, vendet mund të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.
