75 Mall Live Search
17:56 / E Enjte, 31 Korrik 2025 / Z S

Syla: Veprimi i Speciales vë në pikëpyetje historinë e shtetndërtimit tonë

Gazmend Syla, nënkretar i OVL të UÇK-së, lidhur me veprimin e Gjykatës Speciale për pranimin e dokumenteve nga MUP-i serb kundër krerëve të UÇK-së, tha se ky akt vë në pikëpyetje historinë e shtetndërtimit tonë.

Syla në “Info Plus”, në RTK, ka thënë se lajmi që kemi marrë ne ka qenë shokues për ne, sepse para 26 vjetësh bashkësia ndërkombëtare ka sulmuar caqet serbe dhe të aparaturës serbe, e ku pjesë e asaj aparature kanë qenë edhe ato tri institucione serbe, prej nga Specialja ka marrë prova.

Ai shtoi se që nga fillimi OVL e UÇK-së ka qenë kundër kësaj gjykate dhe, sipas tij, ka qenë e pritshme që të ndodhte diçka e tillë.

“Tani jemi në një pikëpyetje të madhe, sepse shtrohet pyetja: a po legjitimohen këto tri institucione për të marrë informacion, sipas tyre (Specialja, v.j.) kredibile, për të gjykuar luftëtarët tanë, apo këto institucione kanë qenë kriminale, që janë udhëhequr nga njerëz kriminelë, të dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në ish-Jugosllavi”, tha Syla.

Ai shtoi se kjo që po bëhet tani në Gjykatën Speciale vë në pikëpyetje të madhe historinë e shtetndërtimit tonë.

Syla më tej shtoi se Specialja në Hagë edhe më herët është furnizuar me dokumente nga Prokuroria serbe kundër krerëve të UÇK-së./Indeksonline/