13:34 / E Enjte, 24 Tetor 2019 / indeksADMonline

Sylë Hoxha, për rastin e Astritit: Më vjen keq, s’kam kohë të merrem me këto raporte!

Ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha nuk ka dashur të komentonte raportin e Institutit të Zvicrës për Mjekësi Ligjore për rastin e Astrit Deharit.

Ndonëse familjarët e këtij të fundit dhe avokati Tomë Gashi konstatuan se, në bazë të raportit, Astriti është vrarë, ndryshe po interpretohet nga ekspertë dhe avokatë të vendit.

Në një prononcim për Indeksonlinen, Sylë Hoxha, tashti prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksoi se për këtë rast mund të flasin vetëm institucionet e drejtësisë në Prizren.

“Unë tashti jam në Prokurori Speciale. Tashti duhet të komunikoni me Prokurorinë Themelore në Prizren, ata e kanë rastin. Unë kam qenë vetëm prokuror dhe prokuror i rastit s’kam qenë”, është shprehur ai.

Më tej, Hoxha theksoi se s’ka aq kohë që të merret me rastet, që dikur i kishte në duar.

“Po më vjen me thënë, por nuk më interesojnë këto raporte mua, sepse kam punë të tjera. Le të kontaktojnë me Prizrenin dhe çfarë kanë ata në shkresa dhe çfarë u ka ardhur dhe çfarë kanë ndërmend me bo”, është shprehur ai. /Indeksonline/