75 Mall Live Search
14:26 / E Hënë, 10 Shkurt 2025 / Z S

Sylejman Selimi për zonën e Drenicës: Udhëheqës i Policisë Ushtarake ka qenë Sahit Jashari

Sylejman Selimi tha se në fillim të luftës, komandant i Policisë Ushtarake ka qenë Sahit Jashari, i cili bazën e ka pasur në Likoc.

“Ka qenë shok i Adem Jasharit dhe ka qenë i pozicionuar në Likoc”, tha Sylejman Selimi të hënën në  Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Përpara kësaj, dëshmitari u pyet se a erdhën rekrutë të rinj të UÇK-së në zonën e tij.

“Po ka pas mas ramjes së komandantit legjendar Adem Jashari më 5 mars, është mobilizu jo vetëm Drenica por ka pasur të mobilizum edhe nga perëndimi, por edhe nga vendet e ndryshme dhe në këtë periudhë unë i kam pas pozicionimin dhe luftimin që i kisha, e kisha një jetë më të organizume dhe kisha njerëz më shumë të sistemuar në kuadër të përgjegjësisë time. Po ka pas shumë njerëz që kanë ardhur në Drenicë dhe në veçanti në fshatin tim në Açarevë përveç Bekim Berishës- Abesë, Kadri Xhamajlit apo Hamitit se nuk e di se po ia harroj mbiemrin por atëherë i thoshim CD-ja dhe Fehmi Lladrovci me Xhevë Lladrovcin dhe shumë luftëtarë të tjerë të cilët fillimisht kanë ardhur pas tyre edhe shumë të tjerë që janë shpërnda më vonë edhe nëpër zona të tjera”, tha Selimi.

Veç kësaj, dëshmitari tha se përgjegjës për të sistemuar rekrutët në atë kohë ka qenë vetë ai.

“Kanë qenë kryesisht vullnetar dhe kanë shkuar në ato pjesë ku ka pas luftime apo ku ka pas ushtarë të UÇK-së. Në këtë rast, kanë ardhë te unë por kanë shkuar edhe në pjesë të tjera si në Prekaz dhe të grupet tjera. Për këtë periudhë kam qenë unë përgjegjës për pritjen dhe organizimin e këtij formacioni përballë forcave serbe”, tha dëshmitari.

Ndërsa, për majin e ’98-ës dëshmitari pohoi se ka vepruar edhe në Likoc, si dhe pohoi që në kuadër të detyrave si komandant zone ka krijuar edhe një spital.

“Po në kuadër të fshatit të Zonës ka qenë edhe një spital ku janë trajtuar edhe civilët edhe ushtarët. Ka qenë një ambulancë apo një spital. Gjithashtu, ka qenë edhe një emergjencë civile në kuadër të Nënës Terezë dhe ka qenë një organizim i qytetarëve më shumë brenda i kësaj periudhe në Likoc”, tha dëshmitari Selimi.

Tutje, Sylejman Selimi u pyet se ku ka qenë spitali fizikisht në raport me zyrat e selisë qendrore të UÇK-së.

“Përafërsisht nja një kilometër larg”, tha Sylejman Selimi, duke shtuar se objekti i Shtabit më përpara ka qenë i Policisë.

Sylejman Selimi gjithashtu pohoi se spitali ka lëvizur në vende të ndryshme në kuptimin që disa prej të plagosurve më pas janë trajtuar në Abri, Baicë e në vende të ndryshme varësisht prej viktimave dhe lëvizjes së forcave serbe./Indeksonline/