18:12 / E Premte, 14 Qershor 2024 / Gj. Sh

Sylvinho: Duam pikë në çdo ndeshje!

Trajneri i kombëtares, Sylvinho foli në konferencë për shtyp para ndeshjes së parë në Euro 2024 ndaj Italisë, më datë 15 qershor. Tekniku brazilian i kuqezinjve theksoi se për të është një nder të jetë në Euro 2024 me Shqipërinë ndërsa shtoi se do të zbresin në fushë për të luftuar dhe për të tentuar të marrin pikë nga çdo ndeshje.

“Para së gjithash jam i lumtur që jam këtu, kemi pasur një garë të vështirë në kualifikuese dhe është nder të jem me Shqipërinë në Euro 2024. Më vjen keq që kapiteni (gjimshiti) nuk ka luajtur në 2016, por më vjen mirë për mundësinë që tashmë është dhe e meriton. Ai na përfaqëson shumë mirë. Ne jemi në një grup shumë të vështirë, është një kompeticion i madh.

Por, do të futemi për të garuar dhe për të luftuar për çdo pikë dhe për ta pasur një kampionat të mrekullueshëm. Do të jetë e vështirë ndaj Italisë, pas stërvitjes do të vendosim për formacionin, edhe pse është pothuajse i vendosur formacioni.

Kemi shumë shqiptarë nëpër botë, në Gjermani, Italia po Zvicër, për ne është një përgjegjësi e madhe që t’i përfaqësojmë. Stadiumi në masën më të madhe do të jetë kuqezi dhe kjo është përgjegjësi e madhe për ne.

Ka shumë diferenca mes Italisë së kaluar dhe asaj të tanishme. Por, Italia është një skuadër e nivelit më të lartë, ka lojtarë të shpejtë dhe një trajner të mrekullueshëm. Mancini ka bërë punë të madhe, Spalletti po ashtu. Kanë eksperiencë, janë një “top” skuadër. Kur futen në fushë, e bëjnë për të fituar kompeticionin. Por, edhe ne do të futemi për pikë”, u shpreh Sylvinho.