Sylvinho i kënaqur me rezultatin, por jo me lojën

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho ka folur pas barazimit 1-1 me Çekinë.
Tekniku brazilian në një intervistë për mikrofonat e Supersportit, u shpreh i lumtur me rezultatin por jo edhe me lojën e skuadrës, shkruan IndeksOnline.
“Fillimisht dua të falënderoj para së gjithash tifozët e shumtë shqiptarë që ishin këtu dhe na mbështetën. Jam i kënaqur për rezultatin, por jo për paraqitjen e skuadrës. Sigurisht që kemi 23-24 lojtarë që japin zemrën dhe shpirtin në fushë, ndaj kjo është shumë e rëndësishme. Barazimi që morëm sot është fryt i punës së të gjithë lojtarëve, edhe atyre që nuk luajtën dot sot.” deklaroi Sylvinho.
“Nuk kishte rënie fizike. Jam dakord për analizën, pasi bëmë një pjesë të parë shumë të mirë dhe shumë të sigurt. Shumë intensive, taktike dhe me cilësi teknike. Më pas mos harrojmë që kishim përballë një skuadër fizike, me lojtarë shtatlartë, që krijojnë shumë avantazhe në fushë. Kemi pësuar 10 minuta shumë të vështira në pjesën e dytë, pasi ishim mbrapa, të tërhequr, pro taktikisht mendoj se kemi bërë mirë. Më pas e morëm veten, barazuam dhe pas ndërrimeve, me lojtarë të freskët, e ndihmuam shumë lojën e skuadrës.’ u shpreh Sylvinho pas ndeshjes./IndeksOnline/