Sytë drejt Kupës së Botës, Xhaka e Zhegrova në posterin e FIFA-s
Ylli i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, dhe lojtari i talentuar i Kosovës, Edon Zhegrova, janë përfshirë në kopertinën zyrtare të FIFA-s për Kampionatin Botëror, duke u renditur përkrah emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.
Në imazhin promovues, përveç Xhakës dhe Zhegrovës, shihen edhe superyje si Cristiano Ronaldo, Kylian Mbappé, Luka Modrić, Virgil van Dijk e shumë të tjerë, një kolazh që bashkon futbollistë nga të gjitha kombëtaret pjesëmarrëse e jo vetëm, shkruan IndeksOnline.
Kjo paraqitje vjen në një moment të veçantë, pasi më 18 nëntor, Kosova do të jetë nikoqire e Zvicrës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, një ndeshje që pritet me shumë interes, jo vetëm për rëndësinë sportive, por edhe për faktin se përballë do të jenë dy emra të njohur që ndajnë lidhje të forta me vendin tonë.
Përfshirja e Xhakës dhe Zhegrovës në këtë kopertinë shihet si një vlerësim për kontributin dhe ndikimin e tyre në futbollin evropian dhe një dëshmi e rritjes së vazhdueshme të futbollit të rajonit në skenën ndërkombëtare./IndeksOnline/

