Sytë nga Trusti, a do të votohet të enjten?

Këtë të enjte në seancën e Kuvendit të Kosovës do të jetë në rend dite miratimi i Projektligjit për Trustin.
Përveç partive opozitare, edhe në kuadër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, mësohet se janë disa deputetë që mund të votojnë për miratimin e këtij projektligji.
Deputeti i këtij subjekti, Gramos Agusholli ka dhënë një përgjigje interesante për këtë çështje.
“Qëndrimi im deri me sot nuk ndryshon prej atij të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, deri të enjten e shohim a ndryshon a jo me votën e dhënë”, ka thënë Agusholli për IndeksOnline.
Në anën tjetër, Fatmir Humolli një tjetër deputet i GP të VV-së ka thënë se herën e kaluar ka abstenuar duke pritur që qeveria të reflektojë, meqë sipas tij, gjendja s’ka ndryshuar, ai do të votojë të enjten ‘pro’.
“Përderisa Qeveria nuk e ka ndërtu bankën shtetërore, është më mirë ato pare me iu dhanë qytetarëve dhe do të votoj pro. Gjatë fushatës VV ka thënë se do ta bëj bankën shtetërore, dhe as në buxhet për këtë vit s’e ka parapa. Më mirë me iu dhënë qytetarëve, se sa me humbë ato para në kompani ndërkombëtare”, ka thënë Humolli për IndeksOnline.
Ndërsa, Visa Korenica ka thënë shkurt për IndeksOnline se të enjten me votë e vendos arsyeshmërinë e kërkesës për trust.
Kujtojmë, se në qershor, Kuvendi nuk e kishte mbështetur projektligjin për Trustin, dhe më pas kjo çështje u rikthye serish në diskutim pas mbledhjes së mbi 20 mijë nënshkrimeve të qytetarëve të Kosovës, drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.