75 Mall Live Search
08:08 / E Enjte, 11 Dhjetor 2025 / MSH1

SZA-s nuk i pëlqen që “Shtëpia e Bardhë” po përdor këngët e saj

Këngëtarja amerikane SZA është e fundit në një varg muzikantësh që kritikojnë publikisht Shtëpinë e Bardhë për përdorim të paautorizuar të muzikës së saj.

Kënga e saj “Big Boys” u përdor në një video nga Zyra Amerikane e Imigracionit dhe Doganave (ICE) duke festuar arrestimet, duke shkaktuar një reagim të ashpër nga këngëtarja dhe ekipi i saj.

Videoja kontroverse u postua më herët këtë javë në profilin zyrtar të Shtëpisë së Bardhë në rrjetin social X. Ajo tallet me arrestimet e emigrantëve dhe përdor si kolonë zanore një këngë që 36-vjeçarja SZA e interpretoi në Saturday Night Live në vitin 2022.

“Degjuam se është sezoni i dhelprave. Lajm i keq për të huajt e paligjshëm kriminelë. Lajm i shkëlqyer për Amerikën”, thuhej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë që shoqëronte videon.

I pari që reagoi ishte menaxheri i këngëtares, Terrence Punch Henderson, i cili kritikoi administratën Trump.

“Përpjekja për të provokuar artistët që të reagojnë për të ndihmuar në përhapjen e propagandës dhe axhendave politike është punë e ndyrë. Ndalojeni”, shkroi ai.

Më pas reagoi edhe SZA.

“Keqpërdorimi i artistëve nga “Shtëpia e Bardhë” për promovim falas është kulmi i errësirës”, shkroi ajo në Twitter.

“Taktika çnjerëzimi, tronditje dhe frikë… Të liga dhe bezdisëse” shtoi këngëtarja.